KPSHP - LUSHNJE, është një grupim qytetarësh, të rinjsh, aktivistësh, përfaqësues mediash dhe OJF-shë lokale që dëshirojnë të angazhohen për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike duke u përfshirë në nisma për monitorimin dhe vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve në varësi të Bashkisë Lushnje. Në këtë mënyrë, do të krijohet një mjedis transparent e do të rritet përgjegjshmëria e institucioneve. Anëtarët e koalicionit si dhe qytetarë të tjerë do të marrin pjesë në trajnime, takime dhe aktivitete të ndryshme për të rritur kapacitetin e tyre për të kryer monitorimin dhe vlerësimin e shërbimeve publike në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet. Një kujdes i veçantë do të tregohet për grupet në nevojë. Veçanërisht i rëndësishëm është angazhimi i të rinjve për të përmirësuar cilësinë e jetës. Në partneritet me institucionet publike do të kërkohet që të zbatohen rekomandimet e qytetarëve për përmirësimin e situatës. Ky koalicion është ngritur dhe funksionon në kuadër të projektit “ Fuqizimi i shoqërisë civile, si rojtar dhe advokues, për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike në Bashkinë Lushnje” implementuar nga organizata “People in Focus", në bashkëpunim me shoqatën “Lushnja”. ky projekt mbështetet nga Programi I Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së Shba-së, Tiranë.